“Babë fli i qetë, LDK-ja po fiton”

LDK kujton deputetin Kikaj 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të deputetit nga kjo parti Agim Kikaj.

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Kosovës, të LDK-së dhe në emrin e tij personal shprehu ngushëllimet me rastin e vdekjes së deputetit Kikaj.

Mustafa dha vlerësimet më të larta për të ndjerin, sipas të cilit Kosova ka humbur një njeri të kompletuar dhe një atdhetar.

“Ai mbetet shëmbëlltyrë për të gjithë ne. Ai ishte dijetar që shprehej me fakte dhe argumente. Ai dominonte me modestinë e tij, ishte artikulues i pashoq i gjuhës shqipe. Kemi nevojë që çdo ditë të na agojë Agimi. Ndarja e Agim Kikajt është humbje për proceset demokratike të Kosovës. Shoqëria duhet të jetë mirënjohëse për kontributin e tij”, tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu u shpreh se nuk mund të merrnin lajm më të trishtë sesa kumtin e zi për shkuarjen në amshim të Kikajt.

“Shkuarja në amshim ishte një lajm i rëndë për familjen, për neve bashkëpunëtorët dhe për qytetarët e Podujevës dhe për LDK-në. Agim Kikaj ishte një luftëtar i paepur jo vetëm i betejave politike,  por në radhë të parë të betejave njerëzore. Ishte i pathyeshëm dhe veprimtar. Nuk u thye dhe nuk e ndaloi veprimtarinë e tij as kur e burgosën,  përkundrazi doli më i fortë. Është vështirë të gjesh fjalë ta përshkruash si person. Ai  ishte i dashuruar i letërsisë dhe gjuhës shqipe, nuk u mjaftua vetëm me të qenurit jurist,  por edhe njohës i gjuhës. Asnjëherë nuk u pajtua me realitetin e ndrydhur që e pati vendi jonë”, tha Veliu.

Në emër të familjes të pranishmit i falënderoi i biri i deputetit,  Altin Kikaj duke thënë : “Babë fli i qetë, LDK-ja po fiton”.

Kikaj ka ndërruar jetë mbrëmë siç është thënë nga një sulm në zemër. Varrimi  i tij do të bëhet sot në Lupq të Poshtëm të Podujevës në orën 17:00./21Media

Back to top button