Baftiu optimist për fitore ndaj Ballkanit: Drita e meriton titullin e kampionit

Futbollisti i Dritës, Blend Baftiu ka fituar çmimin “Ylli i Javës” për xhiron e 32-të të Superligës së Kosovës.

Baftiu ishte protagonist me gol në fitoren 2:0 të Dritës si mysafire ndaj Llapit, ndërsa tregoi edhe paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë ndeshjes.

Pasi që morri çmimin në fjalë, Baftiu u shpreh tejet i lumtur, ndërsa tha se do të jetë motiv shtesë për ndeshjet e ardhshme.

“Jam shumë i lumtur për çmimin, i cili do të jetë motiv shtesë për ndeshjet e fundit të këtij edicioni. Për këtë i falënderoj bashkëlojtarët, pa të cilët kjo nuk do të ishte e mundur, por në veçanti jam i lumtur për fitoren e arritur dje kundër Llapit. Një fitore shumë e rëndësishme për vazhdimësinë drejt qëllimit tonë, e që është titulli kampion”, tha Baftiu për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Më tej, Baftiu u shpreh optimist në fitore kundër Ballkanit, ndeshje kjo e cila po cilësohet si “vendimtare” për titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar, dhe se skuadra e tij Drita e meriton të shpallet kampione në fund të këtij edicioni.

“Shpresoj dhe besoj se edhe të dielën kundër Ballkanit, që ndoshta është edhe ndeshja më e rëndësishme e kampionatit, të jemi triumfues. Drita FC si me organizim, ashtu edhe me fondin e futbollistëve është skuadër që e meriton titullin e kampionit në këtë edicion”, tha Baftiu.

Ndeshja e radhës për Dritën është të dielën, ku me fillim nga ora 15:00 e pret në shtëpi kampionin aktual, Ballkanin.

Back to top button