Bahtiri ia dorëzon sot Thaçit peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kërkon mbështetjen e tij për miratimin e kësaj nisme

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot në orën 10:00 do të dorëzojë peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës te presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Peticioni është nënshkruar nga 16 mijë e 594 qytetarë.

“Nga presidenti Thaçi kërkohet mbështetja e tij për miratimin e kësaj nisme të ndërmarrë nga qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Dje, i pari i Mitrovicës ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të trajtojë në Kuvend këtë vullnet të qytetarëve. Bahtiri shprehet optimist se bashkimi i Mitrovicës do të ndodhë.

“Sidoqoftë, qytetarët e Mitrovicës nuk duhet të brengosen, sepse pavarësisht sfidave dhe pengesave që dikush qëllimisht po i sponzorizon, qyteti i Mitrovicës do të bashkohet së shpejti në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë dhe siç funksionon më së miri.”, ka deklaruar Bahtiri.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për bashkimin e Mitrovicës e lidhur me këtë ka iniciuar edhe një peticion./21Media

Back to top button