Bajoku pasi mposhti boksierin serb: E bëra për të gjithë shqiptarinë

Boksieri kosovar Shpetim Bajoku e ka kaluar me sukses luftën e parë në Kampionatin Ballkanik të boksit që po mbahet në Albena të Bullgarisë.
Ai e ka mposhtur boksierin serb Semir Aliçiq, në kategorinë deri në 67 kilogramë.
Pas këtij triumfi, Bajoku ka folur për kp duke u shprehur krenar për këtë fitore, për të cilën ka thënë se nuk ishte shumë e vështirë për t’u arritur.
“Fitoren e pritëm me gëzim sepse ishte një boksier shumë i mirë, është kampion evropian për të rinj. Është boksier shumë i mirë dhe ne me përgatitjet tona që i kemi pasur ishim më të mirë se ai, e treguam fuqinë që e kemi…Të vështirë nuk e kishim sepse është hera e dytë kjo që po boksoj ndaj tij dhe nuk patëm problem.”, tha Bajoku.
Ai shtoi se fakti që e ka mposhtur një boksier nga Serbia e bën shumë të lumtur dhe se fitoren ia kushton gjithë shqiptarisë, ndërsa shpalosi hapur synimin për ta sjellë në Kosovë medaljen e artë.
“Nuk ma dha dorën sepse mendoi që do të fitonte ai. Mendonte që ia humbën meçin, por aty shihej ashiqare që ëe rraha unë në tre raunde isha 5-0…Kjo fitore është shumë e rëndësishme sepse e kam bërë për të gjithë shqiptarinë sepse kur ta rrahësh serbin është diçka shumë e madhe… Në meçin tjetër ballafaqohem me të Ukrainës, është boksier shumë i fortë, por besoj që do ta rrahë edhe atë. Me emër të Zotit me medalje do të kthehem, me medalje të artë po mendojmë dhe do ta sjellim.”, tha Bajoku.
Ballafaqimin e radhës Shpetim Bajoku do ta bëjë të shtunën në kuadër të këtij kampionati.