Bajrami i përgjigjet Muratit: Tregoju qytetarëve pse e ke mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar për 46 ditë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, janë përplasur rreth çështjes së buxhetit për Prishtinës.
Fillimisht, Hekuran Murati ka akuzuar LDK-në se po e bllokon buxhetin tash kur Kuvendi është konstituar, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Në kundërpërgjigje, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar ministrin në detyrë se po përdor propagandë dhe manipulim publik për të mbuluar vonesat e veta në procedimin e buxhetit.
“Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës 46 ditë në sirtar dhe nuk e ka dërguar në Kuvend për aprovim. Buxheti është miratuar në Kuvendin Komunal më 9 dhjetor 2024 dhe i është përcjellë Ministrisë së Financave më 17 dhjetor, por Murati e ka dërguar në Kuvend vetëm më 31 janar 2025, në kulmin e fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Bajrami, duke i bashkangjitur edhe disa dokumente.
Ajo ka thënë se pretendimet e Muratit për bllokim nga LDK-ja janë “të pavërteta dhe të orkestruara për fushatë”, duke shtuar se Kuvendi nuk mund ta miratojë buxhetin pasi ende s’ka komisione parlamentare.
“E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare? Dhe qysh formohen komisionet pa u ditur kush është pozita e kush opozita?”, ka pyetur ajo, duke i bërë thirrje Muratit që “të mos mashtrojë qytetarët në Facebook”.
Bajrami e përfundoi reagimin duke thënë se qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do ta tregojnë të dielën kush është bllokuesi në Prishtinë, ndërsa i kërkoi ministrit në detyrë që “të lirojë buxhetet e tjera, përfshirë atë të RTK-së, siç kishte bërë më herët”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?