Bajrami kritika për Buxhetin 2023: S’parasheh zbatimin e ligjit për paga

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ngriti kritika për Projektligjin për Buxhetin për vitin 2023.
Ajo thotë se Buxheti vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave, s’parasheh as rritje pensionesh.
“Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ”buxhetin më të madh në histori”, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit.”, shkruan Bajrami në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2023, në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, të hyrat.
Megjithatë sipas Bajramit Qeveria nuk ka asnjë plan duke marrë parasysh se inflacioni është 12.7 për qind. Për shportën bazë të konsumatorit rritja ka kalu 50 për qindëshin.
“Ndoshta, kjo Qeveri ka plan të ikë sepse deri më tash s’po shohim as hapa minimal për t’u përballur me këtë situatë të rënduar. Partia në pushtet dhe komplet Qeveria janë kurthuar në temën e targave. Kanë shndërruar dialogun me Serbinë në temë qendrore. Konfrontimin me SHBA-në dhe BE-në e kanë bërë përditshmëri. Dhe, s’kanë asnjë zgjidhje për ekonomi, s’kanë zgjidhje për arsim, s’kanë zgjidhje as për shëndetësi. “, thotë Bajrami.
Sipas saj Qeveria po punojnë në video propaganduese se si “Kosova po bëhet si Kroacia”?./21Media

Back to top button