Bajrami-Kurtit: S’ke kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të

Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, lidhur me deklaratën e sotme rreth vendimit të ShBA’së për pezullim të Dialogut Strategjik me Kosovën, ku tha se “Nuk jemi prishur me Amerikën”, e sulmoi partitë tjera duke thënë se po stërmadhojnë këtë çështje.
“Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik”, ka shkruar Bajrami.
Tutje Bajrami ka thënë se për shkak të Kurtit, Kosova është në sanksione nga Bashkimi Evropian që nga qershori i vitit 2023.
“Të vetmen punë që ka bërë në këto pesë vjet Albin Kurti është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe rreth 300 milionë Euro tenderat njëburimor. Qytetarët do ta dënojnë këtë sjellje të Kurtit që e ka dergu në këtë pikë Shtetin e Kosovës!”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami e ka kujtuar edhe kohën kur Kurti e kishte cilësuar si naive deklaratën e ish-Sekretarit Amerikan, Antony Blinken.
“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpaur zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj”, thuhet në postimin e Bajramit.