Bajrami – Muratit: Hoti, fajtor që një produkt kaq i dobët si ti punoi në MF

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti për vitin 2024 nuk është i orientuar elektoralisht. Ndërkaq ndaj tij nuk munguan kritikat nga opozita.
Murati, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm u përplas ashpër me deputetët e LDK-së në lidhje me ndarjet buxhetore për komunat e Kosovës.
Shefi i kuletës së shtetit duke treguar sipas tij, mbështetjen për nivelin lokal përmendi ndarjen buxhetore për Komunën e Prishtinës. Ai tha se kryeqytetit iu është rritur buxheti mbi 30 milionë euro prej kur ka qeverisur LDK-ja në nivel qendror.
Sipas tij, problemi në kryeqytet qëndron tek aftësia e menaxhimit të kryetarit Përparim Rama, i cili siç tha ka thyer rekord me suficit në vitin 2022.
“Problemi te Komuna e Prishtinës është aftësia të menaxhojë mjetet që i ndahen“, tha ai.
Atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë punë sa krejt ministrat e kabinetit qeveritar bashkë.
Duke iu referuar kritikave të ministrit ndaj kolegut të saj partiak Avdullah Hoti, ajo tha se i njëjti mundet me i mbajt vetëm ligjërata ministrit Murati.
“Sa i përket normave të interesit zotëri Hoti mundet veç ligjërata me të të mbajë ty. Ai veç një faj e ka, që të ka lënë të punosh në Ministri të Financave dhe ke dal produkt kaq i dobët”, theksoi Bajrami.
Mirëpo, ministri Murati, tha se qeveria i ka financuar disa projekte të mëdha në Prishtinë, për të cilat, sipas tij, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë vetëm fotografi.
Kritik ndaj ministrit Murati u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se projektbuxheti për vitin 2024 për komunat është tipik diskriminues dhe i papranueshëm.