Bajrami-Muratit: Kjo propagandë nuk të kalon, kulmi i dështimit janë sanksionet ndaj Kosovës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Muratit, për të cilin ka thënë se një ditë pasi u bënë publike sanksonet e BE-së ndaj Kosovës, po akuzon opozitën.
Bajrami ka shkruar në Facebook se për keqardhje Murati as këtë punë nuk është në gjendje ta bëj.
“Ministrit të cilit i kanë tepruar më shumë se 600 milionë euro në fund të vitit qenka ankuar se opozita po e pengon duke mos ja ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare financiare dhe po mendon që ne kemi harru që ishte LVV e cila në vitin 2015 nuk e ka votuar as Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit – marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në. Për me tepër ministri duhet ta dijë se për mos votim në Kuvend të çdo ligji e marrëveshje është ai përgjegjës, qeveria dhe deputetët e tij të cilët me fyrje e arrogancë nuk kanë arritë të kenë koncensus për asnjë gjë – kjo tregon kush janë pozita me shumë se kush janë opozita. Qytetarët e dinë shumë mire se qeverinë dhe ministrin e financave askush nuk i ka penguar me bë reforma fiskale, me i rritë pagat, me rritë pagën minimale, me i ulë çmimet e produkteve esenciale (Ligji që është në Kushtetuese nuk e ka pengu Muratin me bë TVSH-në zero për produktet bazë). Opozita nuk e ka rritë çmimin e rrymës, nuk ka pengu në ndërtimin e banesave për qifte të reja, nuk e ka pengu në ndërtimin e 160 qerdheve, po supozoj nuk e ka pengu as me heqë drejtorin e PDK-së nga ATK-ja, të cilit që një vit e gjysëm i ka kalu mandati, opozita nuk e ka rritë tatimin në pronë, opozita nuk i ka dhënë 100 milionë nga buxheti për energjinë elektrike të shpenzuar në veri, opozita nuk ka lidhje me ambasadorin Martin Berishaj as me kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, opozita nuk ta ndalon me zgjedhë guvernatorin e BQK-së, drejtorin e NJIF-it, 11 sekretarë të ministrive që janë me ushtrues dëtyre që më shumë se dy vite as bordin e Fondit Pensional, opozita s’po nënshkruan kontrata njëburimore, opozita s’po t’i ndalon investimet kapitale, opozita nuk po i shtyn mjekët të ikin nga vendi as 150 mijë qytetarë të tjerë të cilët lanë Kosovën në mandatin e juaj, opozita s’po e pengon mërgatën të vij me investu (Gjonbalaj 50 milionë euro). Të gjitha këto janë premtime me të cilat keni ardhë në pushtet dhe keni dështu keq sepse keni degradu çdo fushë”, ka shkruar ajo.
Barami ka theksuar se kjo propagandë e ministrit Murati nuk të kalon kësaj here.
“Ju keni dështu në çdo sferë e kulmi i dështimit janë sanksionet ndaj Kosovës si rezultat i eksperimenteve tuaja. Sot, në vend që të festojmë të gjithë për deklaratën e 2 korrikut dhe t’i nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për këtë shtet, ne sot flasim për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës – çfarë degradimi”, ka shkruar ajo.
Përndryshe, gjatë ditës, ministri i Financave, Hekuran Murati ka shkruar se opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme.
“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita:- 25 milionë euro marrëveshja me KfË për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike;- 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH. – 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, ka shkruar ai.