Kaloni te përmbajtja kryesore

Bajrami para Kuvendit të partisë: LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringrihet

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj ka nevojë për ndryshim për t’u ringritur dhe për t’u rikthyer si alternativë politike në Kosovë.

Në një reagim para Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, Bajrami ka deklaruar se ky proces nuk duhet të shihet si përballje mes individëve, por si vendim për të ardhmen e partisë.

“Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia jonë politike, do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka theksuar se në Kuvend nuk do të vendoset se kush është pro apo kundër kryetarit aktual të partisë, por se cili është drejtimi që duhet të marrë LDK-ja.

“Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në. Dhe këtu pyetja është shumë e thjeshtë: A jemi të kënaqur me gjendjen ku ndodhet LDK-ja sot? Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, ka thënë ajo.

Bajrami ka përmendur rezultatet e zgjedhjeve të fundit, duke thënë se që nga viti 2021 LDK-ja ka përfunduar në pozitën e tretë në tri palë zgjedhje.

“Nga viti 2021, LDK-ja ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe në të tria ka përfunduar si partia e tretë. Nuk kemi shënuar fitore as në nivelin lokal. Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate”, është shprehur deputetja e zgjedhur.

Ajo ka thënë se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 i kishte kërkuar dorëheqjen kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares.

“Nuk kam kërkuar nga ai atë që nuk kam qenë e gatshme ta bëj vetë. Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas saj, LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, e cila bashkon dhe respekton mendimin ndryshe.

“Sot, LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, jo thjesht zëvendësimi i një emri me një emër tjetër. Një udhëheqje që bashkon e nuk ndan. Që dëgjon e nuk hakmerret. Që vlerëson mendimin ndryshe e nuk e trajton atë si mosbesnikëri”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka thënë se LDK-ja nuk duhet të jetë pjesë rezervë e asnjë partie tjetër, por duhet të synojë fitoren në zgjedhje.

“LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë as e LVV-së, as e PDK-së, as e AAK-së dhe as e ndonjë grupimi tjetër politik. LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar”, ka theksuar ajo.

Deputetja e zgjedhur ka bërë thirrje për një fillim të ri brenda LDK-së.

“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringrihet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës”, ka përfunduar Hykmete Bajrami.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button