Bajrami: Partia në pushtet i ka 2123 kontrata njëburimore

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë për rtv21 se partia në pushtet prej datës 22 mars 2021 deri me 1 shtator 2024 i ka 2123 ‘kontrata pa publikim të njoftimit për kontratë apo kontratë njëburimore.

“Dmth. sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KRPP janë 2123 kontrata pa publikim të njoftimit për kontratë”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, në anën tjetër ajo deklaroi se nuk është dhe as nuk ka qenë kurrë pjesë e grupeve të interesit.

“Unë deklaroj me përgjegjësi të plotë se as nuk jam as nuk kam qënë kurrë pjesë e grupeve të interesit. As nuk kam pasë dhe as nuk kam pronësi, aksione dhe as lidhje me asnjë biznes në Kosovë. Dhe për këtë përveç shpifjeve dhe trillimeve nuk ka asnjë fakt, asnjë të dhënë. Të hyrat e mija, pasuria ime dhe e familjes sime është publike nga viti 2010, prej që unë jam pjesë e politikës. Kam qënë në 3 ministri, partia në pushtet po heton që tri vite e gjysëm për të gjetë diçka joligjore por s’kanë gjetë sepse s’ka, andaj edhe po shpifin sepse po ju dhemb shpërfaqja e korrupsionit për ata”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

Lidhur me këtë kontratë, deputetja e LDK-së, është rezervuar të flasë pasi që siç thotë nuk kanë të dhëna.

“Sa i përket kobtratës në fjalë, rezervoj të deklarohem sepse ne nuk kemi të dhëna, jemi duke përcjellë faktet dhe të dhënat që po raportohen në medie, por kjo kontratë nuk është pjesë e listës se 2123 kontrateve që ne e kemi marrë në KRPP”, ka thënë Bajrami./21Media

Back to top button