Bajrami thotë se rezoluta e Vetëvendosjes është e panevojshme

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur të panevojshme miratimin e rezolutës së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për adresimin e rritjes së çmimeve.
Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetja opozitare ka thënë se Qeveria Kurti duhet të veprojë për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe jo të presë rezoluta prej Kuvendit për të njëjtën.
“Kjo politikë e padëgjuar deri më tani, sa i përket rezolutës prej kah ky model. Shumica në Parlament bën rezolutë për qeverinë e 51 përqindëshit. Pse s’po vepron qeveria, pse ju duhet kjo rezolutë?! Nëse keni ardhur se ka abuzues në treg, pse po pret qeveria rezolutë prej Kuvendit që ta kryejë punën e vet? A e dini çka i bie kjo? Hajde të bëhemi kinse po punojmë diçka”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ideja për hartimin e një projektligji për të luftuar inflacionin është antikushtetuese.
“Kjo çka ju po bëni është antikushtetuese, është në kundërshtim me rregullimin kushtetues tonin. Neni 10, i cili thotë se ne jemi ekonomi e tregut të lirë. E dyta, të gjitha bizneset i kanë kostot e ndryshme, është vështirë të gjenden dy biznese në Kosovë që i kanë koston e njëjta. E treta, ju nuk mund të kontrolloni 32 biznese. Le të supozojmë nëse i kontrolloni, a dini çka bëni ju me këto politika? I falimentoni bizneset e vogla, ndërkohë i favorizoni rrjetet tregtare të mëdha”, ka thënë deputetja.

Back to top button