Ballkani-CFR Cluj, kryendeshja e sotme

Kampioni kosovar, FC Ballkani do ta vazhdojë sot ëndrrën evropiane, ku si vendas e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e CFR Clujit.
Kjo është hera e parë që një skuadër nga Superliga e Kosovës arrin të prek fazën e grupeve të një kompeticioni evropian, ku Ballkani e CFR Cluji përballen sot me fillim nga ora 18:45 në kuadër të Ligës së Konferencës.
Të dy këto skuadra shorti i ka pozicionuar në Grupin G, së bashku me Slavia Prague dhe skuadrën turke, Sivasspor.
Deri te sigurimi i fazës së grupeve, Ballkani kaloi tre raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës me sukses duke shënuar 17 gola brenda gjashtë ndeshjeve, pasi që u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra e Zalgiris.
Në anën tjetër, për skuadrën rumune ky është debutimi i dytë në këtë garë, ku sezonin e kaluar e mbyllën fazën e grupeve në vendin e fundit pasi që humbën katër nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara.
CFR Cluj nuk e ka fituar asnjë ndeshje në garat evropiane ku ka luajtur si mysafirë që nga muaji korrik i vitit 2021, ku brenda nëntë ndeshjeve ka regjistruar katër barazime dhe pesë humbje.
Statistikë interesante është që Ballkani ka humbur vetëm një ndeshje nga 14 sosh në të cilat lojtari, Ermal Krasniqi ka gjetur golin, respektivisht duke regjistruar 11 fitore dhe dy barazime.
Po ashtu, tre ndeshjet e fundit të Ballkanit si vendas në këtë garë kanë parë skuadrën mysafire të ndëshkohet të paktën me një karton të kuq.

Back to top button