Ballkani triumfoi kundër Klaskvik-ut

Misionin si vendas kundër Klaskvik-ut skuadra e Ballkanit e ka përfunduar me sukses, me ç’rast sonte e ka mposhtur skuadrën nga Ishujt Faroe në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra e Ballkanit e ka mposhtur Klaskvikun me rezultat 3:1.
Fillimisht, Nazmi Gripshi e ka zhbllokuar rezultatin i pari në ndeshje, duke kaluar suharekasit në epërsi prej 1:0 në minutën e 30’.
Golin e dytë për Ballkanin e ka shënuar mesfushori Meriton Korenica, i cili ka shënuar për 2:0 në minutën e 41’ të ndeshjes.
Paraqitjen e mirë Ballkani e ka vazhduar edhe në pjesën e dytë, ku e ka gjetur golin e tretë të ndeshjes përmes sulmuesit Albion Rrahmani, i cili ka shënuar në minutën e 50’ për 3:0.
Golin e fundit të ndeshjes dhe të nderit për skuadrën mysafire e ka shënuar Pall Kletsskard, i cili në minutën e 69’ e ka vulosur rezultatin final 3:1.
Me fitoren si vendas, Ballkani tani do të synojë vetëm mbrojtjen e rezultatit në ndeshjen si mysafir, të cilën do ta zhvillojë më datën 11 të këtij muaji në stadiumin “Injector Arena”.

Back to top button