Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës më 2021 pritet të jetë 7.1%

Banka Botërore ka vlerësuar zhvillimet pozitive në sektorin financiar. Në raportin e Bankës Botërore “Konkurrenca dhe Rimëkëmbje pas pandemisë COVID-19” thuhet se aktiviteti ekonomik në Kosovë në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 % kundrejt një rikthimi të vizitave nga diaspora, masave mbështetëse fiskale dhe rritjes së huadhënies.
Mbi 4 % parashikohet të mbetet rritja ekonomike e Kosovë në periudhën afatmesme.
“Rritja parashikohet të mbetet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme. Ruajtja e shkallës së përshpejtuar të vaksinimeve është një përparësi në afatin e afërt”, thuhet në raport.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur raportin e fundit të Bankës Botërore.
“Raporti thekson se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, megjithëse në të ardhmen rreziqet mbeten të larta, ndërsa vendi vazhdon të përballet me pandeminë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, gjatë këtij viti Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 7.1%, falë ardhjes së madhe të diasporës, rritjes së eksporteve dhe konsumit, derisa eksportet e shërbimeve deri në fund të këtij viti do të jenë më të larta për 9.5%”, thuhet në reagimin e BQK-së.
Ndërsa, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se rritjen ekonomike prej 7.9% për vitin 2021 e kanë projektuar qysh para 4 muajsh, kur është përgatitur buxhetin e rishikuar. “Pakkush e ka besuar se një gjë e tillë ishte e mundshme”, ka shkruar Murati.
“Megjithatë, që nga projeksioni ynë i para 4 muajve, situata ka ndryshuar përtej vlerësimeve tona fillestare, marrë parasysh aktivitetin e lartë ekonomik në tremujorin e tretë. Andaj na duhet të bëjmë një projeksion të ri për të përfshirë edhe të dhënat më të fundit, që doemos e vendosë rritjen ekonomike në terren dyshifror”, ka thënë ministri Murati./21Media.

Back to top button