Banka Botërore thotë se ka rënie të ekonomisë së Kosovës, Kurti ‘lavdërohet” më zhvillim

Banka Botërore ka parashikuar se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2025 dhe 2026 do të arrijë në 3.8%, duke pësuar ulje për dallim nga viti i kaluar ku Kosova kishte shënuar rritje mbi 4%. Ndikim negativ në zhvillimin ekonomik, për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, sipas Bankës Botërore ka mos formimi i institucioneve.
“Rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi dhe aktiviteti investues. Megjithatë, pasiguria ekonomike-veçanërisht në lidhje me politikën e tregtisë globale-është rritur muajt e fundit. Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore. Një ngadalësim i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik në BE, si dhe rritja e pasigurisë tregtare, ka potencial të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike”
Por, ndryshe nga parashikimet e bankës botërore, për kryeministrin në detyrë, mos formimi i institucioneve nuk ka çuar peshë në ekonominë e vendit. Një ditë pasi dau nga 100 euro për studentët, në një shumë prej 26 milionë euro, Kurti tha se Kosova ka rritje mbi 4.5 % të bruto produktit vendor.
“Investimet në rritjen e kapacitetit dhe modernizimin e energjisë sigurojnë jo vetëm efikasitet, por edhe qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.5% të Bruto Produktit Vendor. Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6%, pa rënë asnjëherë nën 4%. Këtë vit është 4.58%, pra vazhdojmë të qëndrojmë stabil dhe nuk ka vend për brengosje”, tha Kurti
Ndonëse Kurti flet për rritje ekonomike, ekonomistët vitin 2025 e cilësojë si vit të dështuar në aspektin zhvillimor të Kosovës, meqë, vendi tash e sa muaj ndodhet në një bllokadë politike. Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, rendit një varg arsyesh pse Kosova pritet të ketë rënie të zhvillimit ekonomik.
“Një ndër faktorët pse kemi ulje është pasiguria, çështja e energjisë elektrike, mos investimi në projekte 900 milionë euro të parapara nga qeveria me buxhet, nuk është kriju një ambient i sigurt për bizneset tona dhe të huaja, përkundrazi është kriju ambient armiqësor për biznet, Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së, nuk është ratifiku ende marrëveshja në Kuvend që sjell rreth 1 miliardë euro në Kosovë nga BE-ja dhe të gjitha këto ndikojnë që ne të kemi këtë ulje…”, tha Rafuna për rtv21
Krizat politike shkaktojnë kriza ekonomike thotë ish-ministri i tregtisë Ismet Mulaj. Sipas tij, viti 2025 do të mbyllet më nje rritje më së shumti prej 3.5 % dhe kjo falë konsumit dhe remitencave të diasporës.
“Kosova ende nuk ka biznese të konsoliduara, në Kosovë vetëm tregtia dhe bankat mund të themi që kanë një operim stabil, të tjerat janë ende në faza fillestare, dhe t’i nxjerrësh ato në tregun e hapur energjetik pa një konsultë paraprake drejtë për drejtë në një konkurrencë shumë të fortë të vendeve të rajonit normalisht që shkakton telashe, veç kësaj ne kemi telashe edhe për eksport sepse Kosova nuk ka marketing të fortë për t’i larguar paragjykimet që janë për të si një vend që ka dal nga lufta, produktet shtazore ende nuk arrijnë të eksportohen dhe për këtë qeveria nuk bënë asnjë lëvizje…”, tha Mulaj.
Aktualisht në bazë të statistikave të BE-së, në pesë vitet e fundit nga Kosova janë larguar 210 mijë qytetarë dhe sipas “Euro Stat” që nga viti 2020 për çdo vit nga Kosova janë larguar rreth 40 mijë qytetarë. Ikje kjo e cila po ndikon në humbjen e fuqisë punëtore, ulë cilësinë e shërbimeve dhe detyron bizneset që të marrin punëtor nga shtetet e huaja. Ndërkaq, njohësit e çështjeve të ekonomisë, ngrenë alarmin se punëtorët që po vijnë nga shtetet aziatike në Kosovë po e përdorin Kosovën si vend transit për në vendet e BE-së.
“Këta shkaktojnë pasiguri përjashtim punëtorët e Turqisë sepse po e përdorin Kosovën si vend tranzit për në vendet e BE-së…”, tha Rafuna
“Ikja e qytetarëve, fuqisë punëtore, të rinjve të rejave është vrasje për së dyti Kosova. Kurgjo si ka bë lufta çka i bënë ikja. Sepse Kosova po zbrazet në heshtje. Këtu nevojtitet urgjentisht që dikush ta kthej shpresën për të rinjtë në Kosovë…”, Mulaj
Ndryshe, Kosova brenda pak muajsh rrezikon të futet në kolaps financiar si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re. Meqë, pa këto dy institucione nuk ka se si të miratohet ligji për buxhetin e vitit 2026 i cili duhet të aprovohet nga qeveria më së largu deri më 31 tetor dhe të votohet në Kuvend në dy lexime më së largu deri më 31 dhjetor./21Media