Banorët e Lakrishtës kundërshtojnë vendimin e Komunës: Ndalimi në kthimin gjysmërrethor po na vështirëson qasjen në lagje

Ndalimi i kalimit gjysëm rrethor tek lagjja Santea në Prishtinë ka nxitur reagime te qytetarët.

Ata thonë se kjo po ia pamundëson hyrjet në lagjen e tyre.

Luftar Braha, ekspert për digjitalizimin dhe telekomunikacionin në Komunën e Prishtinës, thotë se këto masa janë marrë për të rritur kapacitetin e rrugëve dhe për të përmirësuar qarkullimin, sidomos në akset kryesore si Bill Klintoni.

Sipas tij, ndalimi i gjysëm rrethores në Lakrishtë është bërë për shkak se infrastruktura nuk mbështet ndarjen e sigurt të kthimeve të tilla

“Ndalimi i kthimeve gjysmërrethore është bërë për disa arsye. Këto kthime krijojnë bllokime, pika konflikti dhe rrisin rrezikun për aksidente, zgjasin kohën e pritjes në semafor, infrastruktura nuk mbështet ndarjen e sigurtë e kthimeve të tilla. Janë ofruar alternativa për qasje në Lakrishtë përmes rrugëve si nënkalimi i stacionit të autobusëve, rruga Hekurudha dhe Bekim Fehmiu dhe rruga Robert Doll përmes Pejtonit”, tha ai për RTV21.

Në anën tjetër policia tha se nuk ka qenë e njoftuar për këtë vendim nga autoritetet e komunës së Prishtinës

“Policia e kryeqytetit, përkatësisht Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, nuk ka qenë e njoftuar lidhur me këtë vendim të ndërmarrë nga autoritetet komunale, rrjedhimisht nënkuptohet se nuk kemi qenë pjesë e vendimmarrjes për këtë”, thanë nga Policia.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se bllokimi i gjysëm rrethëve nuk i ka zvogëluar pikat e konfliktit, sipas tij një ose dy udhëkryqe është dashur të lejohet kyçja në gjysëm rreth.

“Në qoftë se ata në bazë të projektit të sinjalizimit i kanë zvogëlu pikat e konfliktit është pra në rregull, në qoftë se nuk i kanë zvogëlu pikat e konfliktit, është bo sinjalizimi atëherë sigurisht se ai projekt nuk është i studiuar mirë edhe pikërisht është ajo mandej pse ndodhin këto sende. Nëpër kryqëzime të rrugës gjithmonë duhet m’i shiku kërkesat e qytetarëve edhe në bazë të kërkesave të qytetarëve me kriju edhe projektin e sinjalizimit”, tha Deda.

Banorët e këtyre lagjeve kërkojnë zgjidhje të shpejtë pasi siç thonë, po detyrohen të përshkojnë gjysmën e qytetit për t’u kyçur në lagjet e tyre

“Ka vështirësuar shumë, se tash për shembull pesë-gjashtë semafora, nuk ke të drejtë me u kthye askund. Duhet me shku tash botit breg dielli te Aleanca, por me u kthye, vështirësim është goxha shumë”, tha një qytetar për RTV21. /RTV21/21Media

Për më shumë informacione, ndiqeni videon më poshtë:

Back to top button