Banorët e Porojit nën ankth, druajnë nga përsëritja e vërshimeve

Komuna e Tetovës pranon se nuk është zgjidhur në tërësi problemi, por thotë se po punohet me UNDP-në për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë

“Thuaj se çdo vit përsëritet e njëjta histori. Për shkak të shtratit të ngushtë të lumit, bllokimi i rrugës nga reshjet e shiut thuajse është bërë një dukuri në fshatin Poroj. Sipas banorëve zgjidhja adekuate e problemit do të ishte zgjerimi i shtratit të lumit.”

Rauf Dauti, biznesi i të cilit gjendet në buzë të lumit të Porojit, thotë se gjatë gjithë kohës ndihen të rrezikuar për shkak se lumi shpesh herë dinë të jetë kërcënues. Sipas tij, ura e ulët, është një ndër shkaqet që lumi del nga shtrati në rrugë, por për evitimin përsëritjes së vërshimeve, Dauti dhe banorët tjerë kërkojnë që të ndërtohen murre lart në male, të cilat do t’i reduktonin prurjet e lumit nga reshjet e shiut.

“Gjithmonë ndihemi të rrezikuar. Çdoherë që ka vranësira në malet lart, ne ndjehemi të rrezikuar. Ura poshtë është shumë e ulët, edhe gjithmonë gurët e parë që vijnë e bllokojnë”, tha Abdylrauf Dauti, banor i fshatit Poroj.

Komuna e Tetovës pranon se nuk është zgjidhur në tërësi problemi, por thotë se po punohet me UNDP-në për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë. Nga Komuna thonë se i janë përgjigjur pozitivisht të gjitha kërkesave të Bashkësisë Lokale të fshatit Poroj.

“I jemi përgjigjur pozitivisht çdo kërkese të Bashkësisë Lokale që e kanë adresuar deri tek Komuna e Tetovës dhe në kohë rekord kemi bërë të mundur rikthimin e gjendjes ne normalitet. Ne planifikimet strategjike për sa i takon shtratit të lumit Komuna e Tetovës është duke punuar ngushtë me UNDP-në për t’i dhënë një zgjidhje serioze këtij shqetësimi të banorëve të f.Poroj”, nga Komuna e Tetovës.

Aleksandër Veljanovski nga Komiteti Komunal i VMRO-DPMNE-së thotë se punimet nuk janë përfunduar ndërsa makineria është tërhequr. Ata akuzojnë kryeministrin për premtime të pa mbajtura në lidhje me pastrimin dhe normalizimin e gjendjes në Poroj pas vërshimeve.

“Sot jemi në fshatin Poroj ku edhe pas një muaji nga vërshimet që e goditën këtë vendbanim, gjendja e rrugëve dhe urave nuk është normalizuar. Përkundër premtimeve, që për një javë do të zgjidhen këto probleme, pastrimi është ndërprerë, ndërsa makineria është tërhequr”, u shpreh Aleksandër Veljanovski, Komiteti Komunal i VMRO-DPMNE-Tetovë.

Ndërkaq kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës në fshatin Poroj pas vërshimeve, tha se primare do të jetë pastrimi i lumit, e më pas edhe ndërtimi i mbrojtësve të cilët do të pengojnë përsëritjen e vërshimeve.

Vërshimet e 5 qershorit në Poroj, shkaktuan edhe dëme bujqësore, të cilat ministria e bujqësisë dhe qeveria kanë paralajmëruar se do ti kompensojnë.

Back to top button