Baraliu: Dhënia e afatit nga presidenti për mandatarin nuk ka bazë kushtetuese

“Kushtetuta nuk njeh afate të tilla”

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate kohore kur partia fituese e zgjedhjeve duhet të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Kështu thotë njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, i cili potencon se dhënia e afatit prej 48 orësh nga ana e presidentit Hashim Thaçi për LVV për ta mandatuar kryeministrin nuk ka bazë kushtetuese.

Ai ka thënë se nuk afat kohor kur LVV duhet të propozojë mandatarin, por që thotë se do të duhej të vonohej shumë.

“Kushtetuta nuk njeh afate të tilla, Kushtetuta në nenin 95 paragrafi i parë flet për konsultimet që duhet t’i bëjë presidenti pas zgjedhjeve me partinë fituese ose koalicionin fitues, me të cilin do të duhej të bënte bisedë rreth asaj se a e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta bërë qeverinë apo jo. Në mënyrë që pastaj po nga ky paragraf rrjedh obligimi i presidentit që ta njoftojë Kuvendin me mandatimin e mandatarit. Kjo është procedura që do të duhej të ndjekur, pastaj nuk ka ndonjë afat që pas këtij konsultimi 48 orë ose 72 orë ose 100 orë që dikush të kërkojë nga dikush tjetër të përmbushen afatet e tilla shtesë siç është quajtur për të dhënë mandatin. Kushtetuta nuk njeh afate të tilla”, ka thënë Baraliu.

Rrjedhja e afateve kohore për formimin e qeverisë, Baraliu ka thënë se fillojnë në momentin kur LVV do të dërgojë tek presidenti emrin e kandidatit për kryeministër. Pasi të ndodh kjo, ai ka thënë se rrjedh afati prej 15 ditësh për t’u formuar Qeveria.

“Afati fillon që e thotë Kushtetuta dhe e njeh atë obligim pas momentit kur në një ditë të ardhme presidentin e njofton mandatari i ardhshëm që i ka 61 vota, mundësisht që ka një marrëveshje me LDK-në sepse nuk është mirë në mënyrë të njëanshme të shkohet atje dhe t’i thotë që bashkëngjitur me mandatarin që do të duhej caktuar emri është edhe lista e deputetëve dhe mund të shkohet pastaj në seancën tjetër, kryetari i Kuvendit e thirr seancën pasuese dhe aty votohet. Pra, prej atij momenti kur do të dërgohet, jo 48 orë as 72 orë”, ka thënë Baraliu.

Ai ka thënë se Kushtetuta e vendit do të duhej të përcaktonte të gjitha afatet, pasi sipas tij po krijohen shumë paqartësi. “Kushtetuta është defektuoze, nuk është e qëndrueshme, nuk është e fortë, nuk i ka përballuar proceset dhe përkundrazi ka shërbyer si pengesë për zhvillimin e proceseve pozitive politike, ekonomike, sociale në Kosovë. Prandaj, si e tillë duhet të ndryshohet, po edhe te rishkruhet dhe kjo punë, kjo detyrë, mbase ose do të duhej të ishte nëse bëhet kjo qeveri njëra prej prioriteteve kryesore të saj për të filluar edhe me reformën kushtetutese edhe me reformën zgjedhore”.

Sa i përket mos arritjes së marrëveshjes mes LVV dhe LDK, Baraliu ka thënë se është një papërgjegjësi e të dyja partive karshi votueseve.

“Thash për keqardhje, sepse e kanë zhgënjyer vullnetin politik të sovranit të shprehur përmes zgjedhjeve të fundit, i cili vullnet ishte i qartë që jo për ndonjë dashuri të madhe ndaj asnjërit subjekt, po pikërisht për shkak të gjendjes së papërballueshme, gjendje e pashpresë e krijuar në këtë vend papunësia më e lartë dhe varfëria më e lartë”, ka thënë ai.

Dje presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur në një takim kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti por që sipas këtij të fundit ky takim nuk ka pasur efekte juridike.

Ndërsa ishte vet presidenti Thaçi në një postim në Facebook ku ka thënë se i ka dhënë Kurtit 48 orë afat për të treguar nëse i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Back to top button