Barbie prezanton kukullën e parë me diabet të tipit 1

Barbie po zgjeron përkushtimin e saj ndaj përfaqësimit dhe përfshirjes me lansimin e kukullës së parë që përfaqëson fëmijët me diabet të tipit 1.

Kukulla e re është pjesë e linjës Barbie Fashionistas dhe vjen e pajisur me monitor të vazhdueshëm të glukozës, pompë insuline dhe veçori të tjera që pasqyrojnë jetën e përditshme të atyre që jetojnë me këtë sëmundje kronike.

Barbie bashkëpunoi me organizatën kërkimore për diabetin Breakthrough T1D (dikur e njohur si JDRF) për të krijuar këtë model sa më të saktë dhe përfaqësues. Për më tepër, kompania do të dhurojë kukulla për Kongresin e Fëmijëve 2025 të Breakthrough T1D, një ngjarje që mbahet çdo dy vite dhe mbledh mbi 100 fëmijë me diabet të tipit 1 në Uashington për të takuar anëtarë të Kongresit amerikan.

“Prezantimi i një kukulle Barbie me diabet të tipit 1 është një hap i rëndësishëm në angazhimin tonë për përfshirje dhe përfaqësim,” tha Krista Berger, zëvendëspresidente e lartë e Barbie dhe udhëheqëse globale e linjës së kukullave në Mattel. “Barbie ndihmon në formimin e perceptimeve të hershme të fëmijëve për botën, dhe duke përfshirë kushte shëndetësore si T1D, ne sigurojmë që më shumë fëmijë të mund të shohin veten në tregimet që krijojnë dhe në kukullat që duan.”

Veçoritë e kukullës përfshijnë:

Një monitor të vazhdueshëm të glukozës (CGM) të vendosur në krah, të mbajtur me një ngjitës në formë zemre dhe një telefon që tregon aplikacionin e CGM për të ndjekur nivelin e sheqerit në gjak.

Një pompë insuline e vendosur në bel për të ndihmuar në administrimin automatik të insulinës.

Një bluzë dhe fund me pika blu si simbolikë e ndërgjegjësimit për diabetin.

Një çantë pastel blu për të mbajtur pajisje të nevojshme për diabetin ose ushqime të lehta.

Ky model i ri synon të ofrojë më shumë përfaqësim për fëmijët me diabet dhe të nxisë ndërgjegjësimin për këtë gjendje shëndetësore nëpërmjet lojës.

Back to top button