​Barcelona humb miliona pas anulimit të ndeshjes në Miami

Anulimi i ndeshjes mes Villarrealit dhe Barcelonës, e planifikuar të luhej në Miami, ka sjellë pasoja të mëdha ekonomike për klubin katalanas. Barcelona, e cila kishte nisur përgatitjet për këtë udhëtim, priste të përfitonte midis 5 dhe 6 milionë dollarë nga organizatorët, pa llogaritur të ardhurat shtesë nga reklamat dhe aktivitetet promovuese.

Interesi për ndeshjen ishte i jashtëzakonshëm, me rreth 70 mijë bileta të rezervuara në stadiumin “Hard Rock” të Miamit, një rekord për një ndeshje futbolli në atë arenë. Përveç fitimeve direkte, Barcelona kishte planifikuar një sërë ngjarjesh komerciale me sponsorët e saj, përfshirë Spotify-n, si dhe aktivitete me mbështetjen e Goldman Sachs, që do të përfshinin klientë në qytete si Los Angeles, New York dhe San Francisco.

Përveç aspektit financiar, edhe nga ana sportive, Barça do të kishte përfituar nga një atmosferë miqësore, pasi shumica e tifozëve në stadium pritej të ishin në mbështetje të saj.

Megjithatë, pas vendimit të LaLigas për anulim, klubi njoftoi se respekton dhe i përmbahet vendimit, duke humbur kështu një mundësi të rëndësishme për të forcuar markën dhe për të rritur të ardhurat në tregun amerikan.

Back to top button