Bardiqi: Kisha presion, por edhe u kërcënova nga biznesmenë të ndryshëm

 

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi ka deklaruar se ka pasur kërcënime nga operatorët ekonomik, por jo edhe nga politika. Për këtë ai theksoi se ka paraqitur rastin në organet kompetente, dhe se dje është telefonuar nga prokurori i shtetit për këtë çështje, i cili është pyetur nëse është i kërcënuar.

Naim Bardiqi ka dëshmuar para komisionit të martën në lidhje me menaxhimin e pandemisë. Bardiqi tha se gjatë kohës sa ka qenë sekretar i MSh-së, ka pasur edhe kërcënime nga operatorët ekonomikë.

Kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, e ka pyetur ish-sekretarin e MSh-së nëse ka pasur presion nga kushdo, në periudhën e furnizimeve gjatë kohës së emergjencës shëndetësore.

“A keni pasur çfarëdo presioni ose çfarëdo insistimi nga cilado palë, nga cili do nivel, brenda apo jashtë ministrisë, për kontrata apo për furnitorë të caktuar gjatë periudhës kur keni trajtuar furnizime në kohë të emergjencës shëndetësore?”, e ka pyetur Kusari-Lila.

Bardiqi është përgjigjur se nuk ka pasur presion politik, por presion nga operatorët ekonomikë.

“Nuk kam pasur ndonjë presion politik, për sa i përket procedurave të prokurorimit. Jam i prirë që të respektoj rregullat dhe procedurat, dhe asnjëherë as vet nuk përzihem më tepër se sa që mi ka dhënë ligji në cilësi të sekretarit të përgjithshëm. Presioni ka qenë nga operatorët ekonomik, shkresa me dhjetëra që besa edhe të kërcënimeve. Sepse gjatë kohës së pandemisë unë kam besuar në politikën e udhëzimit administrative për caktimin e çmimit të barnave dhe kam mbajtur takim me komisionin, për faktin se gjatë pandemisë kemi pasur abuzime të çmimeve nga ana e operatorëve ekonomikë”, u shpreh ai.

Për këtë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka pyetur Bardiqin nëse ka raportuar këto kërcënime në organet kompetente. Ky i fundit tha se ka lajmëruar këtë raste dhe se të hënën është kontaktuar edhe nga prokurori i shtetit.

“Unë jam i prirë që të gjitha korrespodencave elektronike t’u përgjigjem. Operatorëve ekonomik iu jam përgjigjur gjithherë me transparencë, duke pasur në dijeni edhe të tjerët. Kërcënimi që nuk e perceptoj më tutje si kërcënim dhe nuk e lajmëroj në organe kompetente. Kam pasur një kërcënim që i kam lajmëruar organet kompetente, dje më ka thirrur prokurori i shtetit për këtë çështje dhe më ka pyetur a ndjehem i kërcënuar. Unë e di që policia veç ka filluar investigimet menjëherë pas lajmërimit. Prokurori më ka thirrur dje dhe më tha a ndjehesh i kërcënuar, i thashë jo”, ka deklaruar Bardiqi.

Bardiqi tha se ka pasur raste kur operatorët ekonomik e kanë telefonuar dhe i kanë thënë se ka tejkaluar ligjet dhe se do ta lajmërojnë në polici.

Ndër tjera, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë tha se në vend se të pranojë një mirënjohje për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe, ai është shkarkuar dhe po raporton si dëshmitar në këtë komision hetimor./kp

Back to top button