Basha: Bashkimi ynë me Shqipërinë është forca më e madhe që kemi

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se 28 nëntori është fryma që Kosovën dhe Shqipërinë e mban bashkë, duke shtuar se kjo festë është kujtimi i sakrificave shekullore ndër breza, që jetuan, punuan, rënë për çlirim e bashkim të trojeve shqipëtare.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha u shpreh se nga Skënderbeu deri te qëndresa heroike e Adem Jashari me familjen e tij, 28 nëntori është ura që e lidhë Kosovën me Shqipërinë, me epokat e lavdisë kombëtare.

“Sonte, me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti, morëm pjesë në ngjarjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori është fryma që na mban bashkë dhe është kujtimi i sakrificave shekullore ndër breza, që jetuan, punuan e ranë për çlirim e bashkim të trojeve tona. Nga Skënderbeu që ngriti flamurin në Krujë, te qëndresa heroike e Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familjen e tij, 28 nëntori është ura që na lidhë me epokat e lavdisë sonë kombëtare. Çdo brez ka lënë gjurmë në këtë udhë të gjatë me heronjtë e vet, e kjo është linja që na e mëson se liria për ne është e shenjtë dhe mbetet obligim yni ta ruajmë e avancojmë kombin tonë deri në realizim të idealeve tona historike. Tani, më shumë se kurrë, e ndiejmë detyrimin institucional, moral e kombëtar të ruajmë këtë trashëgimi me kujdes, ta forcojmë bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të qëndrojmë bashkë përballë çdo sfide. Bashkimi ynë është forca më e madhe që kemi dhe e ardhmja jonë ndërtohet mbi këtë premisë tonë që na e ka trasuar rrugën e fitoreve përgjatë historisë së lavdishme. Urime 113 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Qoftë 28 nëntori ditë e përhershme krenarie, frymëzimi dhe besimi në fuqinë e kombit tonë. Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për flamurin e kombin tonë dhe e bënë të mundur që sot të festojmë të lirë e të pavarur”, ka shkruar Basha përmes një postimi në Facebook./21Media

Back to top button