Basha pret në takim ambasadorin e Malit të Zi

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka pritur sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovës, Bernard Çobaj.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha tha se në këtë takim është diskutuar për fuqizimin e lidhjeve parlamentare mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi.

Basha tha se pjesë e rëndësishme e kësaj bisede ishte edhe roli i shqiptarëve në Mal të Zi dhe rritja e bashkëpunimit për aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë në rajon.

“Ambasadorit Çobaj ia shpreha rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe përpjekjeve të përbashkëta në proceset integruese evropiane si dhe nevojën për mbështetje nga Mali i Zi në përballimin e sfidave që Kosova ka përballë qasjes së Serbisë, duke kërkuar qëndrime të përbashkëta dhe të palëkundura në mbrojtje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Pjesë e rëndësishme e bisedës ishte edhe roli i shqiptarëve në Mal të Zi, që vazhdojnë të shërbejnë si urë lidhëse e komunikimit dhe mirëkuptimit mes dy shteteve tona. Ambasadorin Çobaj e falënderova sinqerisht për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shpreha përkushtimin tim që marrëdhëniet mes parlamenteve tona të thellohen edhe më shumë në të ardhmen, në dobi të paqes, progresit dhe mirëqenies së qytetarëve në të dy anët e kufirit”, ka shkruar Basha. /21Media

Back to top button