“Bashkëpunim rajonal s’mund të jetë i plotë pa përfshirjen e shteteve të Balkanit Perëndimor”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është pritur sot në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Siç ka informuar LDK, Abdixhiku dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë diskutuar për perspektivën e dy vendeve fqinje, zhvillmiet e fundit politike në rajon, si dhe bashkëpunimet partiake në mes të përfaqësuesve politik të Kosovës e Maqedonisë Veriore në vazhdimësi.

Abdixhiku dhe Kryeministri Zaev kanë theksuar se dy vendet, si dy shtete të afërta, duhet të ruajnë e kultivojnë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.

“Në takim kryetari i LDK-së, Abdixhiku ritheksoi se çdo bashkëpunim ekonomik rajonal nuk mund të jetë i plotë pa përfshirjen e gjithë shteteve të Balkanit Perëndimor; edhe më pak pa përfshirjen e Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, bashkëpunim ekonomik duhet të paraprihet nga pranimi i realitetit politik, si parakusht i një rajoni prosperues.”, ka informuar LDK përmes komunikatës.

Ky takim është vazhdim i një sërë takimesh, ku ditë më parë kryetari Abdixhiku bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në ditët në vijim, sipas LDK-së, Abdixhiku do të takohet edhe liderët tjerë të shteteve fqinje për të diskutuar për partneritetin dhe perspektivën evropiane./21Media

Back to top button