Bashkëpunimi i bizneseve vendore me ato nga diaspora diskutohet mes Dhomës së Tregtisë dhe Gërvallës

(Lajm i përditësuar)


Bashkëpunimi i bizneseve vendore me ato nga diaspora diskutohet mes Dhomës së Tregtisë dhe Gërvallës

Identifikimi i mundësive për bizneset vendore në zgjerim të tregut të bashkëpunimit me bizneset nga diaspora dhe ato ndërkombëtare si dhe sfidat me të cilat bizneset vendore po ballafaqohen gjatë bashkëpunimit me këto tregje ishin disa ndër temat e trajtuara në takimin e realizuar ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë theksoi që bashkëpunimi ndërmjet Institucioneve dhe organizatave përfaqësuese të komunitetit biznesor në vend është mëse i nevojshëm sepse kështu mund të arrihet në trajtim dhe tejkalim të sfidave me të cilat ata po ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga DhTIK.

Disa ndër çështjet e diskutuara sipas komunikatës së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ishin emërimi i Atashehëve ekonomik në të gjitha Ambasadat, mundësitë e organizimit të takimeve B2B për bizneset në bashkëpunim me Ambasadat, lobimi që Kosova të jetë prezente në sistemet bankare të shteteve njohëse ashtu që bizneseve dhe qytetarëve të ju mundësohet përfitimi nga lirimet në TVSH, si dhe njohja e Kosovës nga kompanitë botërore siç është Google, Facebook, Yahoo dhe Amazon.

Ministrja Gërvalla e vlerësoi si shumë të rëndësishëm komunikimin me përfaqësuesit e interesave të bizneseve dhe theksoi që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke i trajtuar çështjet e ngritura gjatë takimit, mirëpo sipas saj zgjidhja e tyre merr kohë.


Sfidat e bizneseve diskutohen në takimin e zëvendësministrit Sallahu dhe Dhomën e Tregtisë

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zana Beqiri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë falënderoi Zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe theksoi që një ndër ankesat e cila ka të bëjë me mos funksionimin e përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në Gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata.

Ndërsa sipas Mazllum Baraliu, Konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK është komuniteti i bizneseve që ajo përfaqëson.

“Prandaj është mëse e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore. Ai tutje shtoi që Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj Gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit”, thuhet nw komunikatë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi që bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tij do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse.

Sipas Zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale.

Back to top button