Bashota: Privimi nga liria i Cen Deskut ka qenë me tepër se skandaloz

Sokol Bashota gjatë dëshmisë së tij në Hagë kur iu kërkua që të flas lidhur me përfshirjen e tij në rastin e Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, ai për këtë të fundit tha se privimi i tij nga liria ka qenë më shumë se skandaloz.
“Privimi nga liria e Cen Deskut ka qenë për mua më tepër se skandaloz për vetë faktin se Cen Deskun e kam njohur personalisht si një burrë patriot si një njëri humanist i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm në përpjekjet e shqiptarëve ë viteve të 90-ta. Krejt atë që e di për përfshirjen time në dorëzimin e tyre tek Vokeri dhe Shaun Burnsi është se një ditë pra se me ndodhë kjo ngjarje, d iku me 26 nëntor ka ardhë shoferi apo përfaqësues i zyrës së Demaçit i cili e shoqëronte herë pas here Demaçin kur vinte në zonat e UÇK-së dhe ma ka pru një letër ku tha kështu-kështu do të bëhet dorëzimi i dy gazetarëve serb dhe dy aktivistëve të LDK-së dhe këtë letër tha për nderë të datës 28 nëntori si datë historike si dita e pavarësisë së Shqipërisë me e ba në mënyrë humanitare me dorezu këta”, tha dëshmitari.
Ai tha se Shaun Burns ishte ai që i kërkoi Bashotës që dy gazetarë të “Tanjugut” të marrin pjesë në përcjelljen e ngjarjes për shkëmbimin kolegëve të tyre.
“Atë letër e kam marrë e kam qit në një fletore time për me e lexu. Ndërkohë, se di atë ditë apo të nesërmen me ka thirrë Shaun Burns dhe ma ka dhënë të njëjtën. Madje Shaun Burns nga unë kërkoi tha ‘kanë me radh dy gazetarët e Tanjugut apo gazetarët serb’, nuk po me kujtohet saktë, të cilët kanë me ardh me e përcjell ngjarjen e ndërrimit të këtyre gazetarëve që janë marrë më herët. ‘A ka naj problem nëse vijnë në mesin e shumë mediave të tjera’ dhe i kam thanë që personalisht për mua nuk ka asnjë problem dhe i kam thënë që besoj që s’ka me pas asnjë problem edhe ardhja e tyre pasi që vijnë mediat botërore të ndryshme e le të vijnë edhe ata”, tha ai.
Dëshmitari tha se e gjithë kjo ishte puna e tij sa i takon këtij takimi për shkëmbimin e gazetarëve serbë.
“Kështu që ka qenë prezent. Kjo është për herë të parë që po e bëjë publike këtë dhe me duket kanë ardhur i kanë incizuar fjalimet tona dhe ato të dy kolegeve të tyre-gazetarëve serb në këtë këmbim. Kjo ka qenë krejt puna ime që e kam bërë në këtë takim”, tha Bashota.
Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi Prokurori u ndal tek komunikimet me ndërkombëtarët dhe se kush ka qenë pika e kontaktit prej UÇK-së.
“Një prej tyre kam qenë unë dhe nuk e di se a kanë qenë kontaktet e para prej kur kanë mrri GDOM-i amerikan në Kosovë dhe OSBE-ja, por kanë pas kontakte edhe z. Thaçi kryesisht me diplomatë të huaj e po ashtu edhe Jakup Krasniqi e Ramë Buja në takime të ndryshme të përbashkëta që i kemi pas për tema të caktuara”, tha dëshmitari.
Ndërsa, për Sokol Dobrunën, dëshmitari tha se nuk beson që ka qenë i përfshirë në diskutime të tilla.
Megjithatë, dëshmitarit iu kërkua që të flas lidhur me kontaktet që kishte pasur me Shaun Burnsin.
“Fillimisht e kam takuar zëvendësin e tij dhe pastaj ai e ka aranzhuar një takim pasi e ka kërkuar një shtëpi se ku të vendoset GDOM-i amerikan si pikë e takimeve. Atë shtëpi ia kom siguru në Dragobil dhe pas një periudhe ka ardh Shaun Burnsi në takimin e parë që e kemi pas dhe pastaj i kemi vazhdu takimet e rregullta me të. Janë mbi dhjetë takime të cilat shumica prej tyre janë bërë publike për opinion por që kemi pas takime të shpeshta për tema të ndryshme.
Ai tha se me Shaun Byrnsin kanë pasur një raport korrekt duke menduar që ka qenë një kontakt i besuar për atë.
Përveç Burns, dëshmitari tha se ka pasur kontakte edhe me ndërkombëtar të tjerë duke përfshirë ambasadorin Hill e të tjerë.
Dëshmitari tha se beson që po që ka pas rekomandime nga ndërkombëtarët që të krijohej një polici lokale në Kosovë. /BetimipërDrejtësi
Bashota: Nuk e di nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në Shtabin e Përgjithshëm