Bastiset banesa e 21-vjeçarit që e plagosi 44-vjeçarin në Suharekë, policia ende në kërkim të tij

Policia e Kosovës mbrëmë e ka bastisur banesën e 21-vjeçarit A.F., i cili dyshohet se e ka plagosur 44-vjeçarin B.Sh.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se bastisja u krye me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit A.F., 21 vjeçar, mirëpo i njëjti nuk është gjetur aty. Aktualisht nuk dihet se çfarë arme është përdorur në rast”, ka thënë Bytyqi.

Tutje, Bytyqi tha se deri te plagosja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes të dy personave.

“Sipas informatave fillestare, pas një mosmarrëveshjeje paraprake mes dy personave, njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur në këmbë personin, mashkull, 44 vjeçar. I plagosuri është dërguar fillimisht në QKMF Suharekë për ndihmë të parë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku pas një intervenimi kirurgjik është liruar, pasi lëndimet janë cilësuar si të lehta”, ka thënë Bytyqi./21Media

Back to top button