Bastiset banesa ku po luhej poker, Policia sekuestron 5 mijë euro

Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në një banesë dhe objekte përcjellëse në Gjakovë, ku është zhvilluar bixhoz i paligjshëm.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Nënë Tereza”, më datë 24.01.2022 rreth orës 22:30.
“Policia nga Stacioni policor – Gjakovë përmes rrugëve operative-hetimore ka pranuar një informate anonime nga një qytetar, se në një banesë është duke u zhvilluar bixhoz i paligjshëm. Është njoftuar prokurori kujdestar lidhur më informatë, është lokalizuar vendi ku ishte në zhvillim loja e bixhozit, dhe nga ana e zyrtarëve policor të përfshirë në këtë aksion është kryer kontrolli – bastisja e banesës dhe objekteve përcjellëse. Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur pesëmbëdhjetë (15) persona prezent duke luajtur lojën – poker”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të njëjtit janë shoqëruar në lokalët e Stacionit policor në Gjakovë, ku janë intervistuar lidhur për rastin dhe me urdhër të prokurorit, pronari i banesës P.GJ. (1975) është në ndalim policor prej 48 orësh. Katërmbëdhjetë personat e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar një tavolinë e bixhozit, roleta për lojë, gjithashtu nga personat e dyshuar janë sekuestruar një sasi e konsideruar e parave prej rreth 5 mijë euro.
“Po ashtu të gjithë personave të përshirë në atë veprimtari iu janë shqiptuar dhe dënime mandatore, për mos respektim të orarit të lëvizjes”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button