BBC me reportazh për shkollat-shtëpi të Kosovës në vitet e ‘90

Gazetari i BBC-së, Jack Butcher, në një podcast ka raportuar për shtëpitë-shkolla në Kosovë në vitet 1990-ta.
Butcher në podcastin ka marrë prononcime nga Linda Gusia, që ishte nxënëse në atë kohë dhe po ashtu nga profesoresha Drita Halimi.
“Në vitet 1990-ta në Kosovë, një brez i shqiptarëve u edukuan nëpër mijëra shtëpi private të kthyera në shkolla. Regjimi i Slobodan Millosheviqit dëboi dhunshëm ata nga shkollat dhe universitetet. Shqiptarët u përgjigjën me shkolla të improvizuara nëpër shtëpi e apartamente, papafingo apo bodrume të tyre. Reagimi spontan ndaj përjashtimit të tyre etnik evoluoi shpejt në një sistem arsimor mbarëkombëtar, që do të zgjaste për pjesën më të madhe të asaj dekade”, shkruan BBC.
Linda Gusia ka treguar se si në vitin shkollor të vitit 1991, kur kishte shkuar në shkollë kishte parë policinë te shkolla.
Ajo tregoi për masat e dhunshme të Millosheviqit.
“80 për qind shqiptarëve që punonin në institucionet publike u shkarkuan për arsye të ndryshme. Sistemi i edukimit për shqiptarët në Kosovë ishte mundësi e madhe për të marrë pjesë në jetën politike, publike, ekonomike e shoqërore”, tregon Gusia.
Drita Halimi, profesoreshë në Universitet të Prishtinës atëkohë, tregon se si atëherë kishte tri vajza në shkolla.
“Në ato kushte, sigurisht u detyruam të bënim diçka për fëmijët tanë”, tregon Drita.
Ajo tregon se si lëshuan një apartament të vogël për të mbajtur mësim shkolla e një prej vajzave të saj.
“Fatmirësisht kishim përkrahje të njerëzve, ishin të gatshëm të jepnin shtëpinë e banesat për shkolla. Gjithë Prishtina u bë shtëpi-shkollë, universitet”, tregon Drita Halimi.
Ajo tregon se si brenda muajve u hapën mijëra shtëpi.
Linda Gusia tregon se si mësimi nëpër shtëpi krijoi një komunitet të lidhur ngushtë, një frymë familjare.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka shpërndarë në Twitter këtë podcast të BBC-së.
“Podcast interesant për shtëpitë e kthyera në shkolla gjatë viteve 1990-ta në Kosovë”, ka shkruar Abbott.
Kliku KËTU për ta dëgjuar audioreportazhin e Butcher.

Show More
Back to top button