BDI me emra të vjetër në qeverinë e re
Analistët e quajnë dëshperues emërimin e tyre
Pas konsultimeve deri në orët e vona, mbrëmë BDI publikoi emrat e ministrave të rinj. Partia e Ahmetit në qeveri do të përfaqësohet me emra të cilët edhe më parë kanë udhëhequr resorë në përbërjet e kaluara qeveritare, por mes tyre janë edhe dy emra të cilët shumë pak janë dëgjuar në opinion.
-Hazbi Lika është i propozuar për Zëvendës-kryeministër për Sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve. Lika në vitin 2001 ka qenë komandant i UÇK-së. Në vitin 2003 zëvendësministër i Brendshëm. Gjatë viteve 2004-2008 ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Ai ka qenë edhe deputet, si dhe sekretar organizativ i BDI-së, aktualisht është anëtar i kryesisë së BDI-së.
-Bujar Osmani është i propozuar për zv/kryeministër për integrime evropiane. Ka qenë ministër i shëndetësisë, zëdhënës i BDI-së dhe mjek në Klinikën e Shkupit.
-Për ministrinë e Ekologjisë është i propozuar ,nënkryetari i partisë Sadulla Duraku. Ai ka qenë fillimisht, zv/drejtor i Doganave të Maqedonisë, Ministër i Bujqëisë, Deputet në Kuvendin e RM-së dhe kryetar i Komunës së Likovës.
-Për ministrinë e Ekonomisë është propozuar, Kreshnik Bekteshi, kuadër i BDI-së nga Kërçova. Ai një kohë ka punuar në Agjencinë për investime të huaja ndërsa për një kohë ka qenë edhe promotor ekonomik në Bruksel për t’u transferuar më pas në Bernë në të njëjtin pozicion.
-Bylent Salihu është propozuar për dikasterin e Drejtësisë në Maqedoni. Ai ishte anëtarë i kryesisë qendrore të BDI-së. Paraprakisht ka qenë drejtor në dy drejtori, fillimisht në NP “Komunales” në Vrapçisht, pastaj drejtor në Inspektoratin e Gjuetisë dhe Pylltarisë të Maqedonisë.
Ramiz Merko është propozimi i BDI-së për ministër pa resor. Ndaj ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Merko kohë më parë Prokuroria Publike ngriti padi për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.
E ndërkohë, disa prej analistëve thonw se liesta me emrat e BDI-sw pwr ministra wshtw dwshpwruese. Visar Ademi thotë se BDI me këto emra e minon partinë e Zaevit që mos t’i arrijë reformat që i ka premtuar.
“Shikoni listën e ministrave atje ke një person i cili ka padi dhe dyshim për korrupsion, i cili është parë edhe nga përgjimet e Prokurorisë Speciale, tani pyetja është se si mund të na përfaqësoj ky person në Qeverinë e ardhshme. Kemi shumicën e ministrave të cilët nuk dinë as edhe një gjuhë të huaj, përfshirë edhe anglishten e cila është gjuhë e punës. Keni ministra gati të gjithë që nuk kanë as edhe një eksperiencë profesionale, që nuk kanë arritur asnjë gjë në jetë e tyre dhe tani do të jenë bartësit që do të marrin vendime në emër të të gjithë popullit”, tha Ademi.
Analisti politik, Agim Jonuz vlerëson se BDI kuadrot e saj më të mirë po i ruan për zgjedhjet lokale.
“Ky është një manovrim nga BDI e cila kuadrot me cilësi i ruan për në zgjedhjet lokale. Kështu që BDI-së i është garantuar pjesëmarrje në Qeveri por nuk i është i garantuar sukses në zgjedhjet lokale”, tha Jonuz.
Analistët vlerësojnë se shqiptarët duhet të përfaqësohen nga njerëz që kanë cilësi dhe kredibilitet profesional. Sipas tyre hapi i këtillë i partive politike shqiptare krijon mosbesim tek populli shqiptarë që të votojnë për alternative tjera siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit parlamentare më 11 dhjetor, ku LSDM mori një mbështetje të madhe nga elektorati shqiptar./21Media