BDI nuk propozon asnjë grua në ekzekutiv, e pranojnë gabimin, premtojnë se do ta ndërrojnë qasjen

 

Pas kritikave se BDI nuk ka emëruar asnjë grua në krye të gjashtë dikastereve, më 30 gusht Artan Grubi nga kjo parti  premtoi se gratë do të janë të përfaqësuara në eshalonet e tjera.

“Eshaloni i parë nuk është i vetëm, kemi zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe drejtorë. Ju e dini që BDI ka qenë avangardë në propozimin e femrës”, tha Artan Grubi nga BDI.

Por kjo nuk ndodhi.  Të gjithë zëvendësministrat jozyrtarisht të propozuar nga partia në pushtet janë burra.

Këtë gabim e pranoi Grubi.

“E pranoj këtë si kritikë dhe është e drejtë. Opinioni publik ka të absolutisht drejtë në këtë drejtim. Dhe absolutisht e pranoj. Dhe do të përpiqemi gjithsesi ta përmirësojmë këtë qasje sa më shpejtë që është e mundur”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Për mospërfilljen e gruas shqiptare në politikë reagoi edhe njëra nga anëtarët e BDI-së Elita Masha. Ajo thotë se gratë shqiptare janë shpërfillur jo vetëm si gjini por edhe si cilësi.

“Me keqardhje them se është një lëshim, që BDI ka bërë. Si një parti e konsoliduar dhe me votues stabil, lëshim i cili nuk është pritur dhe është shumë zhgënjyes. Uroj që të reflektoj kryesija dhe figurat vendimmarrëse për ta përmirësuar këtë gjendje. Janë dy probleme që nxjerrin në pah mosfunksionimin i organeve partiake, siç është Forumi i Gruas”, Elita Masha, delegate kongresi e BDI-së.

Për dallim nga pushteti ekzekutiv, përbërja parlamentare në Maqedoninë e Veriut po i afrohet kuotës legale prej 40 përqind. 43 gra fituan mandate, përballë 77 burrave në përbërjen e re parlamentare por sërish përfaqësimi i burrave do të jetë dyfish më i lartë./21Media

Back to top button