BE anulon projektin 12 milionësh në Kosovë

Sipas deklaratës Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Ky projekt përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010. Si rrjedhojë, projekti u përfshi në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) për 2015.

Për ndërtimin, Qeveria fillimisht identifikoi një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk doli të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës.

Sipas një deklarate për media, Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e serishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore si gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, pas sipas tyre, i njëjti do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.

“BE-ja kontribuon me pothuajse 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. BE-ja mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me Kosovën, përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë mjedisore”, përfundon deklarata./21Media

Back to top button