BE dhe NATO presin bashkëpunim me Qeverinë e re në Kosovë

NATO dhe Bashkimi Evropian presin që Qeveria e re e Kosovës e cila që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit të jetë stabile dhe të tregojë bashkëpunim të mirë me faktorin ndërkombëtar. Analistët e sigurisë e vlerësojnë këtë si sinjal të mirë për Kosovën, por kërkojnë nga partitë politike që të mos e zvarrisnin krijimin e Qeverisë së re sepse duhet të fillojë urgjentisht bashkëpunimi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë, të ketë një Qeveri stabile dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Ai e ka thënë këtë në një konferencë me gazetarët, ku ka folur për takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, që zhvillohet të enjten në selinë e kësaj aleance në Bruksel.
“Bazuar në rezultatet deri tash duket se do të ketë një qeveri të koalicionit. Natyrisht, ne sigurojmë që do të punojmë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Dhe natyrisht u dëshirojmë të gjithë politikanëve gjithë të mirat në drejtimin e hapësirës politike dhe që të sigurojnë që të ketë një qeveri stabile sa më parë që të jetë e mundur”, tha Rutte.
Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, tha se gatishmëria e NATO-s për bashkëpunim me institucionet e reja që pritet të dalin pas zgjedhjeve është një sinjal i mirë. Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë stabile.
“Këto mesazhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është pozitiv duke pasur parasysh se ne jemi nën ombrellën e NATO-s edhe pse nuk jemi anëtar i NATO-s. Si hap i radhës duhet të jetë krijimi i një Qeverie stabile”, tha Dashevci.
Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se një Qeveri me 61 vota mund të jetë stabile. Por, sipas tij, ky stabilitet do të zgjate deri në zgjidhjen e presidentit.
“Pasi që kjo Qeveri do të zgjidhet në mënyrë demokratike dhe nga një rezultat i pa kontestuar edhe ndërkombëtarët do ta respektojnë” tha Spahiu.
Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, tha se Kosova nuk e ka luksin që të ketë krizë politike për formimin e Qeverisë.
“Kur janë çështjet nacionale do ta gjejnë një zgjidhje për ta formuar Qeverinë sepse edhe bashkësia ndërkombëtare e mirëpriti zgjedhjet duke i quajtur demokratike”, tha Dashevci.
Profesori Nexhmedin Spahiu është optimist se nuk do të ketë zvarritje për krijimin e Qeverisë së re.
Nexhmedin Spahiu, analist politik
“Unë shpresoj se nuk do të ketë zvarritje dhe varianti i parë të funksionoj. Do të ketë një opozitë të fortë”.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian përmes një reagimi ka thënë se mezi presin formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe vazhdimin e angazhimit me autoritetet kosovare./RTV21/21Media