BE dhe ShBA në mbështetje të “Open Ballkan”/ Varhej: Përshpejton integrimin e vërtetë! Eskobar: Të mbetet ekonomike

Ftesën për të qenë në samitin e katërt të “Open Ballkan”, komisionari për zgjerimin Oliver Varhej tha se e ka marrë si ftesë që Bashkimi Evropian të jetë pjesë e nismës. Nisma jo vetëm që është e mirë, por edhe mundësi për të ndryshuar realitetet në terren dhe për t’u bërë ballë sfidave të rajonit, tha Varhej, duke shtuar se kjo nismë, nëse bëhet siç duhet, do ta përshpejtojë integrimin ekonomik të rajonit dhe duhet ta përshpejtojë integrimin e vërtetë të Ballkanit në BE.
“E them këtë sepse kur flasim për aderimin në BE, martesa a simbole të tjera, e më së shumti flasim për procese, korniza negociuese, non-pejpëra, por për të qenë i sinqertë me ju, ndoshta s’duhet ta them si komisionar, por kjo nuk është interesante. S’është aspak interesante as për qytetarët tanë në Evropë e as për qytetarët në Ballkanin Perëndimor, sepse mendoj që pyeta e tyre kryesore është se ku do të nisim të jetojmë siç jetojnë në Evropë?! Kur do të kemi shanset dhe mundësitë e njëjta, ekonomike, sociale si njerëzit në BE dhe kur do të shohim që të hiqen të gjitha barrierat mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor?! Ky është integrimi i vërtetë dhe integrimi i vërtetë fillon me ekonominë dhe shoqeërinë”- deklaroi Oliver Varhej, Komisioner I BE-së për Zgjerim.
Nga Sarajeva, zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan, Gabriel Eskobar, tha se SHBA-ja “Ballkanin e Hapur” nuk e sheh nga këndvështrimi i problemeve të viteve ’90, por nga prizmi i mundësive të shekullit 21. SHBA e mbështet nismën, por theksoi se e njëjta nuk duhet të jetë vetëm bashkëpunim rajonal, por edhe për integrim në strukturën evropiane. Kërkoi që çdo nismë e këtillë ekonomike të përfshijë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Me të vërtetë inkurajoj që kjo nismë të mbetet ekonomike. Nuk është projekt politik, por është projekt i rëndësishëm ekonomik, të fokusohet në krijimin e mundësive për qytetarët e rajonit dhe keni më shumë mbështetje”- pohoi Gabriel Eskobar, Zëvendës-Ndihmësi I Sekretarit Të Shtetit Të SHBA-së.
Zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan tha se Ballkani ka potencial të madh të energjisë së rinovueshme, e cila do të ndihmonte në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Përmendi po ashtu edhe se Ballkani mund të bëhet qendër rajonale e gazit të lëngshëm që do ta bënte Evropën të pavarur nga energjia ruse./TV21

Back to top button