BE: Dialogu Kosovë-Serbi i paprekur nga zhvillimet në dosjen Epstein

Bashkimi Evropian tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është prekur nga zhvillimet rreth dosjes Epstein, në të cilën përmendet edhe ish i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha në Bruksel se dialogu është një proces i qëndrueshëm që shqyrtohet në vazhdimësi nga shtetet anëtare. Deklarimet pasuan publikimet e shkëmbimeve të porosive mes Lajçak dhe abuzuesit seksual, tashmë të ndjerin, Jeffrey Epstein.

“Kur bëhet fjalë për dialogun, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, në pronësinë e palëve dhe i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe gjithashtu dialogu shqyrtohet vazhdmisht nga shtetet anëtare. Nuk kam se çfarë t’i shtoj asaj se cfarë ka thënë kolegu im Balasz rreth Lajçakut posacërisht dhe ai, siç është thënë më heret, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeminstrit sllovak dhe shërbimet e tij për BE-në kanë ndodhur gjatë një mandati të kaluar. Mandati i tij si i dërguar i posaçëm gjithashtu ka përfunduar vitin e kaluar dhe nuk është vazhduar. Kur bëhet fjalë për rrezikim ose kërcënime të sigurisë kjo i takon autoriteteve të shteteve që të merren me to sepse janë përgjegjëse për këtë”./RTV21

Back to top button