BE: I njëanshëm dhe i pakoordinuar vendimi për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri

Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare si “veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar”.
Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.
BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?