BE-ja arrin shifrën e prodhimit të birrës në nivelin para-pandemik

Vendet e Bashkimit Evropian rikuperuan nivelet e tyre të prodhimit të birrës pothuajse në ato para viteve të pandemisë, duke prodhuar gati 34.3 miliardë litra birrë alkoolike në vitin 2022, tha të enjten agjencia statistikore e bllokut Eurostat.

Prodhimi i birrës u rrit me 7% krahasuar me vitin 2021, pothuajse saktësisht i njëjtë me shifrën e vitit 2019 prej 34.7 miliardë litrash.

Pandemia pati një ndikim mjaft të theksuar negativ në prodhimin dhe konsumin e birrës, në një pjesë jo të vogël për shkak të mbylljes së lokaleve dhe restoranteve dhe kufizimeve në shoqërim.

Përveç kësaj, vendet e BE-së prodhuan 1.6 miliardë litra birrë me përmbajtje alkooli midis 0% dhe 0.5%, afërsisht e njëjta sasi si një vit më parë.

Gjermania ruajti në vitin 2022 pozicionin e saj si prodhuesi kryesor i birrës në bllok. Federata, gjithashtu vendi më i populluar i BE-së, prodhoi 7.6 miliardë litra birrë, rreth një e katërta e të gjithë totalit të BE-së.

Spanja pasoi Gjermaninë, me 3.9 miliardë litra të prodhimit të birrës së bllokut, më pas Polonia me 3.7 miliardë litra, Holanda me 2.6 miliardë litra dhe Franca dhe Italia me 2 miliardë litra secila.

Holanda gjithashtu vazhdoi të kryesojë bllokun si eksportuesi kryesor i birrës alkoolike, duke eksportuar rreth 2.6 miliardë litra, tha Eurostat, 27% të eksporteve totale të birrës së bllokut.

Destinacioni kryesor i birrës së prodhuar nga BE ishte Mbretëria e Bashkuar (me 860 milionë litra, 21% e totalit të eksporteve të birrës jashtë BE-së) dhe Shtetet e Bashkuara (716 milionë litra, ose 18%). /21Media

Back to top button