BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

Vendet e BE-së kanë miratuar zyrtarisht të enjten paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).
27 shtetet anëtare e kanë miratuar paketën të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi bllokimin e saj.
“Është një paketë e rëndësishme që synon rrjedhat kryesore të të ardhurave ruse përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, ka thënë presidenca daneze e BE-së.
Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh dhe kontratat afatgjata nga 1 janari 2027. Ndalimi i plotë do të ndodhë një vit më parë se plani i Komisionit për t’i dhënë fund varësisë së bllokut nga lëndët djegëse fosile ruse.