BE-ja prezanton fondin prej 2.3 miliardë eurosh për rindërtimin e Ukrainës

Komisioni Evropian njoftoi të enjten, më 10 korrik, se do t’i ndajë 2.3 miliardë euro mbështetje për rindërimin e Ukrainës, pas dëmeve që i janë shkaktuar nga pushtimi rus.
Këtë e ka njoftuar Komisioni Evropian në faqen zyrtare.
Paketa e re prej 2.3 miliardë eurosh e marrëveshjeve të nënshkruara me institucione ndërkombëtare dhe bilaterale financiare publike nën Kornizën e Investimeve për Ukrainën, përfshin 1.8 miliardë euro garanci kredie dhe 580 milionë euro grante.
Pritet të mobilizojë deri në 10 miliardë euro investime në Ukrainë.
Për më tepër, duke përmbushur angazhimin e saj në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Berlin vitin e kaluar, presidentja von der Leyen njoftoi, në kuadër të qasjes “Ekipi Evropian”, fondin më të madh të kapitalit aksionar në Ukrainë: Fondi i Ri Kryesor Evropian për Rindërtimin e Ukrainës, i mbështetur nga Komisioni Evropian – përmes Bankës Evropiane të Investimeve – Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia.
Me një kapital fillestar prej 220 milionë eurosh, fondi synon të mobilizojë 500 milionë euro deri në vitin 2026 – me grumbullim shtesë parash i parashikuar ndërsa përmirësohen kushtet e sigurisë.
Fondi Kryesor do të nxisë zhvillimin e një ekosistemi kapitali privat në Ukrainë, duke tërhequr kapital të ri dhe duke maksimizuar sinergjitë me aktorët ekzistues të tregut.
“Sot, BE-ja ripërtërin rolin e saj si partneri më i fortë i Ukrainës. Jo vetëm donatori i saj kryesor, por edhe investitori kyç në të ardhmen e saj. Me 2.3 miliardë euro marrëveshje të nënshkruara, synojmë të çlirojmë deri në 10 miliardë euro investime për të rindërtuar shtëpitë, për të rihapur spitalet, për të rilindur bizneset dhe për të siguruar energjinë. Kjo është solidaritet në veprim. Ukraina po i afrohet çdo ditë më shumë BE-së – në energji, arsim, lëvizje dhe kulturë. Evropa qëndron me Ukrainën – sot dhe nesër”, tha von der Leyen, në konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës, të mbajtur në kryeqytetin italian.