BE-ja vëzhgon zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit

Bashkimi Evropian (BE) do të zgjasë misionin e ekspertëve zgjedhorë që ishin në zgjedhjet lokale edhe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Këtë e bëri të ditur BE në një përgjigje për RTV21.

“Duke pasur parasysh afatin e shkurtër dhe pas ftesës së Presidente Osmani, BE-ja ka vendosur të zgjasë misionin aktual të ekspertëve zgjedhorë, të dislokuar për zgjedhjet lokale, në mënyrë që të vëzhgojnë edhe zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Po ashtu BE ka shprehur keqardhje që partitë politike nuk e kapërcyen bllokadën e zgjatur politike pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

“Ne e marrim parasysh njoftimin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare më 28 dhjetor 2025. BE-ja nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues, duke përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet. BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e qytetarëve të saj dhe për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. “, thuhet në përgjigjen e BE-së për RTV21./RTV21/21Media

Back to top button