BE kërkon konsensus, opozita vendosmëri për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës dhe Serbisë të përfshihen në negociata dhe të gjejnë një konsensus të nevojshëm për votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë me 3 prill.
Një gjë të tillë nuk kanë pranuar të komentojnë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa opozita kërkon vendosmëri nga kryeministrit Kurti për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat e evropiane për votimin e qytetarëve serbë të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit.
Megjithatë ai thotë se iu takon dy palëve për të gjetur një marrëveshje dhe një të tillë sipas tij, iu është thënë edhe nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi.
Përkrahje të sërishme Qeverisë së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në vend i jep Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti opozitar, Pal Lekaj tha se do të këmbëngulin që zgjedhjet e Serbisë mos të mbahen në Kosovë më 3 prill.
”Sa i përket vendimit për mos mbajtje të referendumit ne e kemi mbështet Qeverinë dhe nëse vjen vendimi për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve (të Serbisë) në Kosovë do të hasë në mbështetjen tonë si Aleancë dhe opozitë. Ne do të këmbëngulim që mos të mbahen ato zgjedhje në Kosovë”, thotë Lekaj.
Nga ana tjetër, drejtori i organizatës joqeveritare ”Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë se aleatët ndërkombëtar do të bëjnë presion për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
”Do të ketë presion për me u leju mbajtja e zgjedhjes, por mbetet të shihet tek Qeveria a ka me pas mundësi dhe a ka me pas qëndrueshmëri që zgjedhjet mos të mbahen ashtu siç ishte çështja e referendumit…Nëse mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi qysh janë mbajtur të kaluarën atëherë mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen ndaj Serbisë derisa prapë lejojmë në mënyrën siç janë mbajtur më herët”, tha ai.
Institucionet e Kosovës me 16 janar të këtij viti refuzuan mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje për këtë deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një rezolutë./kp

Back to top button