BE konfirmoi hyrjen në fuqi të masave ndaj Kosovës, Hoti: Ku është Presidentja e vendit?

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me masat e Bashkimit Evropian të marra ndaj Kosovës, të cilat sipas BE-së kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.

Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës s’e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re dhe ka thënë se duhet Kuvendi të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme për t’u dakorduar për veprimet.

Në një postim në Facebook Hotika pyetur se ku është presidentja e Kosovës dhe pse sipas tij ajo s’po e ushtron funksionin e saj.

“Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka thënë Hoti.

”Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera. Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re. Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve. Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit. Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hoti./21Media
Back to top button