BE konfirmon se më 17 dhjetor zhvillohet takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se më 17 dhjetor do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper ka thënë se të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe se aty do të “shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga Qeveria e Serbisë u takuan herën e fundit në tetor.
As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.
Në Kosovë ka skepticizëm sa i përket progresit të mundshëm në këtë proces.
Institucionet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit të fundit terrorist në veri, ku u cenua infrastruktura kritike e Kosovës, derisa Serbia ka mohuar akuzat.
Shpërthimi në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ndodhi më 29 nëntor dhe e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Sulmi është dënuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.