BE: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen, përfshirë Asociacionin

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme duke shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët. Ndërkohë ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, ka shprehur habi ndaj komenteve dhe kritikave që së fundmi po i bëhen draft-statutit të Asociacionit i cili, siç tha, është hartuar nga zyrtarë të lartë perëndimorë. Sipas tij, fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara duke e adoptuar këtë draft.

“ShBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”, tha Hovenier.

Por, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, thotë se Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri që ta zbatojë marrëveshjen sipas renditjes së pikave.

‘’Edhe sa i përket Asociacionit është standard i dyfisht sepse marrëveshja duhet të zbatohen sipas renditjes së pikave. Askush nuk e ndëshkon Serbinë për akte terroriste, po shohim deklarata ku kërkohet që sa më shpejtë të zbatohet marrëveshja. Pa u zbatuar e gjithë marrëveshja nuk ka as asociacion dhe asgjë tjetër”, tha Bajqinovci.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, gjatë një prononcimi për rtv21 dje tha se Qeveria nuk është përgjegjëse për përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit, rrjedhimit sipas tij as nuk garanton nëse i njëjti ka shkelje kushtetuese. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka drejtuar kritika ndaj BE-se së ata janë ngutur në hartimin e një drafti duke mos qenë detyrë e tyre.

‘’BE-së fare nuk i takonte të propozonte një statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Kosova është të paraqes një statut të tillë’’, deklaroi Konjufca.

Përfaqësuesit e opozitës e kanë kritikuar Qeverinë për ndryshim të qëndrimeve sa i përket zbatimit të marrëveshjes ku bënë pjesë edhe Asociacioni. Sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ka luhatje qëndrimesh ndër zyrtar qeveritar sa i përket obligimeve që kanë pranuar në marrëveshjen e Bruksleit dhe Ohrtit.

‘’Asnjëherë nuk kanë qenë konsistent, kanë mashtruar qytetarët. Kur vijnë presionet atëherë pranojnë gjëra. Çdo herë kanë thënë se Asociacioni është pa kompetenca ekzekutive dhe tash ky draft-statut ka kompetenca ekzekutive”, tha Lekaj.

Në Samitin e Bashkimit Evropian në fokus është  ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor./21Media

Back to top button