​BE miraton marrëveshjen e re mesdhetare për të promovuar “integrim më të thellë”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të enjten se Kolegji i Komisionerëve kishte miratuar një marrëveshje të re mesdhetare me qëllim arritjen e një “integrimi më të thellë”, raporton Anadolu.

“Duhet të punojmë për një integrim më të thellë. Duhet të thjeshtojmë mënyrën e bashkëpunimit ekonomik me njëri-tjetrin dhe të krijojmë lidhje të reja midis industrive, universiteteve dhe institucioneve tona. Për këtë arsye, sot po bëjmë një ofertë të qartë për fqinjët tanë. Le të krijojmë një hapësirë të përbashkët mesdhetare me qëllim integrimin progresiv”, tha von der Leyen në një deklaratë për media.

Ajo theksoi se marrëveshja përqendrohet në tre shtylla kryesore: njerëzit, ekonomia dhe lidhja midis sigurisë, përgatitjes dhe migracionit.

Pas von der Leyen, shefja e politikës së jashtme Kaja Kallas dhe Komisionerja për Mesdheun, Dubravka Suica, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku dhanë detaje shtesë rreth iniciativës së re.

Kallas shpjegoi se marrëveshja përfshin mbi 100 projekte të synuara për forcimin e ekonomive lokale, ofrimin e mundësive më të mira për të rinjtë, përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Suica theksoi se shtylla e parë synon fuqizimin e njerëzve përmes hapësirave të përbashkëta për mësim, kulturë, sport dhe mobilitet, me një projekt kryesor krijimin e një Universiteti Mesdhetar.

Shtylla e dytë do të modernizojë marrëdhëniet tregtare dhe investuese, mbështesë startup-et dhe zgjeruar bashkëpunimin në energji të rinovueshme, teknologji të pastra dhe ekonomi blu, shtoi ajo.

Suica gjithashtu bëri të ditur se shtylla e tretë mbulon sigurinë, drejtësinë dhe migracionin, duke përfshirë luftimin e krimit dhe terrorizmit, parandalimin e “radikalizimit” dhe menaxhimin e migracionit përmes rrugëve ligjore, partneriteteve për talentet dhe vizave për studentë.

Mbi të gjitha, liderët riafirmuan mbështetjen e tyre për Palestinën, duke përfshirë kontributet në planin e armëpushimit dhe përpjekjet për rindërtim, siguri dhe qeverisje.

Back to top button