BE paralajmëron se Kosova mund të mbetet jashtë intergrimit

Pas pakënaqësive të fundit të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj autoriteteve kosovare, BE ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë integrimit evropian. Opozita në Kosovë vlerëson se kryeministri Kurti me veprimet e tij po dëmton imazhin e Kosovës. Ndërkaq analistët politik thonë se BE-ja po vazhdon t’a përkdhel Serbinë.

Në kohën kur Kosova po kërkon me ngulm heqjen masave të vendosura nga BE-ja, kjo e fundit paralajmëron mundësinë e masave të reja, pas vendimit për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb dhe mbylljes së komunave paralele serbe.

Për shkak të vendimeve që cilësohen të njëanshme, Kosova mund të rrezikojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Partitë opozitare në vend, vlerësojnë se kryeministri Kurti, po rrezikon seriozisht partneritetin me aleatët.

“Kur miqtë tanë me një gjuhë jodiplomatike me një gjuhë mjaftë të ashpër po e drejtojnë gishtin dhe po e akuzojnë hapur intitucionet tona, mendoj qe raporti i Bashkësisë Ndërkombëtare në raport me Kosovën do të ndryshojnë dhe fatkeqësisht për të keq”, tha për RTV21 Rashit Qalaj, PDK.

“Kjo Qeveri e ka dëmtu imazhin e Kosovës në arënën ndërkombëtare. Është paralajmëruar se nëse Kosova nuk koordinohet me aleatët tanë do të ketë masa të reja, do të ketë sanksione të reja dhe në faktë e kanë paralajmëruar që rruga drejtë Bashkimit Evropian të Kosovës do të stopohet. Nuk e di se qfarë është duke menduar Qeveria Kurti kështu”, tha Time Kadrijaj, nga AAK-ja.

Ndërsa analisti politik, Arton Demhasaj, vlerëson se BE-ja po vazhdon ta përkëdhel Serbinë.

“Këto veprime që po i ndërmerrë Qeveria e Kosovës, nga partnerët ndërkombëtar mund të konsiderohen si veprime të njëanshme që mund ta pengojnë dialogun dhe njëkohësisht edhe impelementimin e marrëveshjeve, mirëpo duhet me marrë edhe anën tjetër që nuk është vetëm Kosova fajtore për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit por bashkfajtore për këtë, ndoshta fajtore më e madhe për këtë është Serbia. Por ne po shohim që Bashkimi Evropian nuk po merrë masa ndaj Serbisë por vetëm ndaj Kosovës. Kështu që këto paralajmërime të BE për masa të reja janë të padrejta dhe këto masa duhet të merren edhe ndaj Serbisë, sepse Serbia përpos që nuk po i zbaton këto marrëveshje, ajo ka qenë edhe fajtore për sulmin terrorist në Banjskë”, tha për RTV21 analisti politik, Arton Demhasaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore, me të cilin hiqet nga qarkullimi dinari serb, por institucionet këmbëngulin se janë në të drejtën e vet kushtetuese. BE madje ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel./21Media

Back to top button