Bedri Hamza zgjedhet Kryetar i ri i PDK-së

Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së. Ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka deklaruar Hamza.
Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.
“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.
Hamza ishte i vetmi kandidat për kryetar të PDK-së.
Zgjedhja e Bedri Hamzës si Kryetar i PDK-së vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit të enjten e javës së kaluar.
“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, kishte thënë Memli Krasniqi të enjten në një konferencë për media.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?