Begaj në New York: Për Shqipërinë, multilateralizmi është themeli i sigurisë sonë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në takimin e Nivelit të Lartë të Qendrës Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi” që u zhvillua në Harvard Club në Nju-Jork.

Ky takim bëri bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, personalitete botërore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në diskutimin për çështjen e mprehtë dhe aktuale: “Multilateralizmi në Udhëkryq: Sfidat dhe Rrugët drejt Paqes”.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Shqipërisë u shpreh ndër të tjera se sot veç multilaterizmit edhe njerëzimi është në udhëkryq. Zgjedhja e vetme, sipas Presidentit Begaj, është bashkëpunimi për të ndërtuar një rend me të drejtë dhe paqësor për të parandaluar rrëshqitjen e botës drejt përçarjeve dhe konflikteve më të thella.

“Për vendet e vogla si Shqipëria, multilateralizmi është themeli i sigurisë sonë dhe garancia e zërit tonë në çështjet botërore”, deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar rëndësinë që kanë institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse, pasi në të kundërt kombet e vogla rrezikojnë të mbyten nga logjika e forcës mbi të drejtën.

“Në sajë të Kombeve të Bashkuara dhe organeve të tjera shumëpalëshe ne mund të kontribuojmë në vendime, të mbrojmë sovranitetin tonë dhe të avokojmë për paqen”, deklaroi Presidenti Begaj.

Back to top button