Begaj përmend ish-krerët e UÇK-së në Hagë: E vërteta nuk mund të tjetërsohet, historia nuk mund të rishkruhet

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në seancën solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, vendosi theks të veçantë te roli dhe sakrifica e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Duke folur në emër të Republikës së Shqipërisë, Begaj tha se ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë sot po përballen me akuza që, sipas tij, lëndojnë ndjenjën kombëtare të shqiptarëve.

“Ata luftuan për të drejtat e tyre, për tokën e tyre dhe për gjuhën e tyre. Janë memorie shtetërore e kombëtare”, u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi se e vërteta dhe historia e luftës çlirimtare nuk mund të tjetërsohen.

“E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet apo të ndryshohet, sepse liria ka emër dhe liria meriton respekt”, deklaroi ai.

Begaj shtoi se Shqipëria do të qëndrojë sot dhe përherë pranë Kosovës dhe pranë ish-komandantëve të UÇK-së, duke i konsideruar ata pjesë të pandashme të historisë së shtetndërtimit dhe sakrificës për liri.

Në fjalën e tij, ai e cilësoi Kosovën si një histori suksesi, të ndërtuar mbi qëndresë, sakrificë dhe përkushtim ndër breza

Begaj theksoi se kjo ditë është festë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Begaj u shpreh se çdo shqiptar, në Shqipëri dhe në diasporë, sot ndjehet pjesë e gëzimit dhe krenarisë për këtë përvjetor.

“Sot Kosova mbush 18 vjet. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Kjo është dëshmia se Republika e Kosovës është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrifice dhe meritash”, deklaroi ai.

Presidenti Begaj përmendi breza të tërë që luftuan për identitetin kombëtar shqiptar, duke vlerësuar kontributin e figurave historike si Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi, sakrificën e Adem Jasharit, si dhe luftën çlirimtare.

“Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm”, theksoi Begaj, duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi.

Back to top button